
Këto ditë të nxehta vere janë duke u bërë edhe më të nxehta, pasi e dimë që jemi afër përfundimit të Euro 2012, dhe fazat e fundit të kësaj gare janë me temperaturë më të lartë sesa ato që janë jashtë shtëpive tona. Në agjendën tonë, tani është i pozicionuar një editorial që do t’i kushtohet gjysmëfinales së sotme të Euro 2012, ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë.
“Ne merituam të fitojmë. Ne kemi pasur shumë raste për shënim. Ne luajtëm shkëlqyeshëm. Luajtëm mirë kundër të shkëlqyerve”, ishin fjalët e Cesare Prandellit pas triumfit ndaj Anglisë. Deri këtu është gjithçka në rregull. Italia i befasoi të gjithëve me lojën e saj, kundër një Anglia të strukur në pjesën e saj të fushës, me mendimin se pjesa e tjetër e saj, ishte një pikë e pakapshme për ta – Apo kushedi, ndoshta i është ngulitur diçka në kokë, Roy Hodgsonit i cili nuk lejonte sulmin e skuadrës së tyre.
Italia padyshim që pati një lojë të mirë në çerekfinale kundër Anglisë, mirëpo mos të harrojmë se në fazën grupore ka shënuar vetëm një fitore, dhe atë kundër klubit të shpallur më të dobët në Euro 2012.

Ajo arriti që deri tani me lojë të rregullt, të shënojë vetëm katër gola – Gjë këtë që Gjermania e bëri në vetëm një ndeshje, atë kundër Greqisë.
Duhet të pranojmë të gjithë, edhe ti që je duke e lexuar këtë artikull, se nuk e ke pritur kualifikimin e Italisë në gjysmëfinale, edhe pse ajo tani gjendet aty.

Le ta lëmë të kaluarën të flasim për të sotmen. Gjermani vs Itali? Një ndeshje historikisht e fortë, me plotë emocione dhe me ndeshje të bukur.
Shtrohet pyetja, Si do të arrijë Italia ta ndalë këtë Gjermani aktuale? Përgjigjen e kësaj pyetje, ndoshta nuk do të mund ta jep askush, duke parë formën dhe precizitetin edhe në gjërat më të vogla të Gjermanëve, nuk mund të thuhet se Azzurrët mund të bëjnë një gjë të tillë.

Një mesfushë fantastike, e lidhur për mrekulli me mbrojtjen dhe sulmin, pritet të jetë vrasëse për Italinë, e cila nuk do të ketë rast për të eliminuar Gjermaninë. Shpejtësia e lojës dhe krijimi i sulmeve sa hap e mbyll syt e Gjermanisë, pritet të jetë një pikë vrasëse për Italinë.
Gjermania në ndeshjen kundër Greqisë, e tregoi shumë mirë armatën e saj, e cila me anësorët e saj në sulm, krijoi shumë raste, dhe me një Reus në Top-Formë, e një Ozil klasik, mund të shohim gjithçka në këtë takim.
Në anën tjetër, e tërë lavdia e Italisë është duke shpresuar te Andrea Pirlo. Gjithçka është në rregull, por çfarë do të bëj Pirlo i vetëm, ku sulmi i Italisë pritet të jetë tërësisht i bllokuar nga Gjermanët, të cilët në mbrojtje dhe në mesfushën defanzive janë tmerrësisht të fortë.

Thjeshtë, Italisë i duhet një përmirësim, tejet, tejet i madh nëse dëshiron t’i afrohet paksa Gjermanisë, e cila është duke u përgatitur për një trofe të Kampionatit Europian me vite të tëra.
Çka mendoni ju? A do të ketë gjasa Italia për kualifikim? Çfarë do bënit ju, po të ishit në vendin e Cesare Prandellit? Shhprehuni në hapësirën për komente…
Artikull i përgatitur nga: S. Metbala / lajmesport.com